Sahihu i Buhariut — Hadithi 2967

113. Nënkapitulli: Kërkimi i lejes prej prijësit

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe të cilët, kur gjenden me atë (të Dërguarin) në një punë të përbashkët, nuk largohen para se të kërkojnë leje prej tij. Me të vërtetë, ata që kërkojnë leje prej teje, pa dyshim, besojnë në Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Kur të kërkojnë leje prej teje për ndonjë punë të tyre, jepi leje kujt të duash dhe kërko për ta falje nga Allahu. Me të vërtetë, Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (Nur, 62)

2967. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Is'hak ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Xheriri, e ky nga Mugire, e ky nga Shabiu se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ shkova në një betejë (dhe gjatë kthimit), Pejgamberi ﷺ më erdhi afër teksa isha i hipur mbi një deve tonën, që e përdornim për punë fushe, e cila ishte lodhur dhe mezi ecte. Pejgamberi ﷺ pyeti: “Çfarë ka deveja?”
- Është lodhur, - i thashë.
Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ i doli mbrapa, e ngërmoi dhe bëri dua për të. Dhe që aty, ajo vazhdimisht ecte para karvanit. Pastaj më pyeti: “Si po të duket deveja?” I thashë: “Mirë, e ka kapluar bereqeti yt.” Pejgamberi ﷺ më pyeti: “Do të ma shesësh?” Unë u turpërova, por nuk kishim deve tjetër për punë fushe. I thashë: “Po.” Ai më tha: “Atëherë po ta blej.” Ia shita me kusht që ta shaloj deri në Medinë. I thashë: “O i Dërguari i Allahut, jam bërë dhëndër rishtazi.” I kërkova leje të shpejtoj dhe ai më lejoi, andaj e tejkalova karvanin dhe, me të arritur në Medinë, e takova dajën tim, i cili më pyeti rreth devesë. Unë i tregova ç'kisha bërë dhe ai më qortoi. Kur i kërkova leje të Dërguarit të Allahut ﷺ, ai më pyeti: “Je martuar me ndonjë të virgjër apo me të ve?” I thashë: “Me të ve.” Ai më tha: “Pse s'u martove me ndonjë të virgjër, që të dëfreheshe me të dhe ajo me ty.” Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, babai më ka rënë shehid, ndërsa unë kam disa motra të reja, andaj nuk doja të martohesha me dikë të moshës së tyre e të mos dijë t'i edukojë dhe që nuk kujdeset për to. Prandaj, u martova me një të ve, që të kujdeset dhe t'i edukojë ato.”

Kur i Dërguari i Allahut ﷺ mbërriti në Medinë, shkova dhe ia dërgova devenë, ndërsa ai m'i dha të hollat për deve dhe ma ktheu devenë.
Mugire ka thënë: “Sipas gjykimit tonë, kjo (lloj shitblerjeje) nuk prish punë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2967

Hadithe të ngjashme: Shiko (25)

Fjalë të panjohura?