Sahihu i Buhariut — Hadithi 3055
178. Nënkapitulli: Si ftohet fëmija në Islam?
3055. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salim ibn Abdullahu se Ibn Omeri rrëfen se Omeri dhe disa sahabë të tjerë (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) shkuan me Pejgamberin ﷺ tek Ibn Sajadi (për të cilin dyshonin se ishte Dexhalli), të cilin e gjetën duke luajtur me fëmijë, te Kulla e Fisit Benu Megale. Atëkohë, Ibn Sajadi ishte në prag të pubertetit. Nuk e hetoi aspak Pejgamberin ﷺ, derisa e goditi me dorë dhe i tha: “A dëshmon se unë jam i Dërguari i Allahut?” Ibn Sajadi e shikoi dhe tha: “Dëshmoj se ti je i dërguari i analfabetëve (arabëve).” Pastaj iu drejtua të Dërguarit të Allahut ﷺ duke i thënë: “Po ti, a dëshmon për mua se jam i dërguar i Allahut?”
Pejgamberi ﷺ refuzoi dhe tha: “Unë besoj në Allahun dhe në të dërguarit e Tij.” Pastaj e pyeti: “Çfarë po sheh (se po të shfaqet)?”
- Më shfaqet një i vërtetë dhe një gënjeshtar, - iu përgjigj.
- “Të është përzier çështja”, - i tha Pejgamberi ﷺ, pastaj vazhdoi: - “Të kam fshehur diçka (a e di çka është)?”
- Ty..., - tha ai (deshi ta theksojë fjalën “tym”, por nuk mundi ta çojë deri në fund).
- “Hesht, se nuk do të arrish asgjë (nga të fshehtat)”, - ia ktheu Pejgamberi ﷺ.
- O i Dërguari i Allahut, më lejo t'ia heq kokën, - iu drejtua Omeri.
- “Nëse me të vërtetë është ai (Dexhalli), nuk do ta mbysësh, e, nëse nuk është ai, nuk ke dobi nga vrasja e tij”, - i tha Pejgamberi ﷺ Omerit.