Sahihu i Buhariut — Hadithi 3136

15. Nënkapitulli: Ndër argumentet se një e pesta e plaçkës shpenzohet për nevojat e muslimanëve është dhe fakti se fisi hevazin i kanë kërkuar Pejgamberit ﷺ, për shkak të gjidhënies, t’ua kthejnë robërit e luftës, andaj Pejgamberi ﷺ u kërkoi leje muslimanëve për t’ua kthyer ata

Po ashtu, fakti se Pejgamberi ﷺ, njerëzve të caktuar, u premtonte t’u jepte hise nga një të pestën e plaçkës së fituar me luftë apo me paqe, si dhe ato që ua ka dhënë ensarëve dhe Xhabir ibn Abdullahut nga hurmat e Hajberit.

3136. Nga: Ebu Musa Eshariu

Muhamed ibn Alai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Burejd ibn Abdullahu, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur na erdhi lajmi se është paraqitur Pejgamberi ﷺ (si pejgamber), ne ishim në Jemen. Kështu, u nisëm për të mërguar tek ai. Unë së bashku me dy vëllezërit e mi: Ebu Burden dhe Ebu Ruhmin, prej të cilëve unë isha më i riu, ishim në mesin e pesëdhjetë e dy-tre burrave nga fisi im. I hipëm anijes, e cila na dërgoi te Nexhashiu në Abisini. Aty e takuam Xhafer ibn Ebu Talibin së bashku me shokët e tij, i cili na tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ na ka dërguar këtu dhe na ka urdhëruar të qëndrojmë, andaj qëndroni edhe ju me ne. Së këndejmi, ne qëndruam me ta derisa u shpërngulëm të gjithë së bashku dhe e arritëm Pejgamberin ﷺ në Hajber, pasi e kishte çliruar. Ai na dhuroi hise, - ose ka thënë: na dha diçka, - nga plaçka e Hajberit, edhe pse askujt që nuk kishte marrë pjesë në atë luftë, nuk i kishte dhënë hise, përveç pjesëtarëve të anijes sonë dhe Xhaferit me shokët e tij. Këtyre u ndau hise nga plaçka e Hajberit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3136

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?