Sahihu i Buhariut — Hadithi 3158
1. Nënkapitulli: Xhizja e armëpushimi me dhimitë dhe armiqtë
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Luftojini ata që nuk besojnë në Allahun e as në Ditën e Kiametit, që nuk e konsiderojnë të ndaluar atë që e ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe ata, midis atyre që u është dhënë Libri, që nuk e pranojnë fenë e vërtetë, derisa të japin xhizjen (taksën) me dorën e tyre, duke qenë të përulur.” (Teube, 29) Transmetimet rreth marrjes së xhizjes prej çifutëve, të krishterëve, mexhusëve dhe joarabëve. Ibn Ujejne tregon se Ibn Ebu Nexhihi i ka thënë Muxhahidit: "Përse banorët e Shamit ngarkohen me katër dinarë, ndërsa banorët e Jemenit me një dinar?" Muxhahidi është përgjigjur: "Kjo është përcaktuar në bazë të kushteve ekonomike."
3158. Nga: Amër ibn Auf Ensariu
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Urve ibn Zubejri, e këtij i ka treguar Misver ibn Mahrame se Amër ibn Auf Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), - i cili ishte aleat i fisit të Amir ibn Luejit dhe kishte qenë pjesëmarrës në Bedër, - tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e kishte dërguar Ebu Ubejde ibn Xherrahun në Bahrejn për t'ua mbledhur atyre xhizjen. I Dërguari i Allahut ﷺ lidhi marrëveshje paqeje me banorët e Bahrejnit, ndërsa Alaë ibn Hadremiun e kishte vendosur në krye të tyre. Kështu, Ebu Ubejde u kthye me pasuri nga Bahrejni dhe e arriti namazin e sabahut me Pejgamberin ﷺ. Ensarët, me të dëgjuar se ai ishte kthyer, pasi i Dërguari i Allahut ﷺ e fali namazin, i dolën përpara dhe ai buzëqeshi kur i pa kështu e tha: “Më duket se keni dëgjuar që Ebu Ubejde është kthyer me diçka?” Ata thanë: “Po, o i Dërguari i Allahut.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Përgëzohuni dhe shpresoni atë që ju bën të lumtur, sepse betohem në Allahun se, për ju, nuk ia kam frikën varfërisë sikurse ia kam frikën se do t'ju shtrohet dynjaja ashtu siç u ishte shtruar atyre që ishin para jush, e pastaj ju të garoni për të siç garuan ata, ndërsa ajo t'ju shkatërrojë siç i ka shkatërruar ata.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3158
Fjalë të panjohura?