Sahihu i Buhariut — Hadithi 3165
4. Nënkapitulli: Hiseja që Pejgamberi ﷺ e shpërndau nga pasuria e Bahrejnit dhe pjesa nga kjo pasuri dhe nga xhizja që ua premtoi të tjerëve, si dhe kujt u ndahet preja e luftës dhe xhizja
3165. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ibrahim ibn Tahmani transmeton nga Abdulaziz ibn Suhejbi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberit ﷺ i sollën një grumbull mallrash prej Bahrejnit, e në atë rast tha: “Derdhini në xhami!” Kurrë më parë nuk i kanë sjellë të Dërguarit të Allahut ﷺ mall më shumë sesa këtë herë.” Abasi erdhi dhe tha:
- O i Dërguari i Allahut! Më jep edhe mua, sepse më është dashur të harxhoj shumë kur e pata shpaguar veten dhe Akilin (prej robërisë në Luftën e Bedrit).
- “Merr!” - i tha Pejgamberi ﷺ.
Ai shtriu një bohçe dhe e mbushi, por, ngaqë nuk mund ta bartte, tha:
- Urdhëro dikë të ma ngarkojë?
- “Jo!” - i tha Pejgamberi.
- Atëherë, a mund të ma ngarkosh ti? - pyeti Abasi.
- “Jo!” - iu përgjigj sërish Pejgamberi ﷺ.
Kështu, zbrazi një sasi të saj, por ende nuk mund ta ngrinte. Atëherë, iu drejtua Pejgamberit ﷺ: “Urdhëro dikë të ma ngarkojë?”
- “Jo!” - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.
- E po, a mund të ma ngarkosh ti?
- “Jo!” - i tha Pejgamberi ﷺ.
Ai zbrazi edhe një pjesë të saj dhe e ngarkoi në supet e veta e u nis. Pejgamberi ﷺ e përcolli me sytë e tij derisa ai u largua, i habitur për lakminë e tij. Atë ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit që aty vetëm atëherë kur nuk mbeti asnjë dërhem.”