Sahihu i Buhariut — Hadithi 3176

15. Nënkapitulli: Kujdesi nga tradhtia

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Po nëse duan të të mashtrojnë me të (me paqen), të mjafton Allahu. Ai është që të fuqizoi ty me ndihmën e vet dhe me besimtarët.” (Enfal, 62)

3176. Nga: Auf ibn Malik Eshxhaiu

Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Velid ibn Muslimi, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Ala ibn Zebri, e ky e ka dëgjuar Busr ibn Ubejdullahun, e ky e ka dëgjuar Ebu Idrisin se Auf ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë Betejës së Tebukut, shkova te Pejgamberi ﷺ, - i cili ndodhej në një tendë lëkure, - dhe më tha: “Mbaji në mend këto gjashtë gjëra para se të ndodhë Kiameti:

1. Vdekjen time;

2. Çlirimin e Bejtu Makdisit (Kudsit);

3. Një epidemi që do t'ju vrasë sikurse listerioza e deleve;

4. Përhapjen e pasurisë, saqë dikujt i jepen njëqind dinarë dhe më tej vazhdon të jetë i pakënaqur;

5. Një sprovë që do të hyjë në çdo shtëpi të arabëve;

6. Një paqe mes jush dhe romakëve, të cilët do t'ju tradhtojnë dhe do t'ju vijnë me tetëdhjetë flamuj, nën secilin flamur nga dymbëdhjetë mijë (ushtarë).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3176

Fjalë të panjohura?