Sahihu i Buhariut — Hadithi 3191
1. Nënkapitulli: Transmetimet rreth ajetit: “Ai e fillon krijimin dhe Ai e përsërit atë e për Të kjo është edhe më e lehtë...”
Rabi ibn Huthejmi dhe Haseni (në lidhje me ajetin në fjalë) kanë thënë: "Për Të çdo gjë është e lehtë." Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Vallë, a mos u lodhëm Ne gjatë krijimit të parë? Jo, por ata dyshojnë në krijimin e serishëm.” (Kaf, 15) Pra, a mos u lodhëm kur ju krijuam ju? Ai, po ashtu, ka thënë: “Ne i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe çdo gjë që gjendet midis tyre për gjashtë ditë, pa ndier lodhje aspak.” (Kaf, 38 dhe Fatir, 35) Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Ndërkohë që Ai ju ka krijuar në etapa (etapat e embrionit)?” (Nuh, 14)
3191. Nga: Imran ibn Husajni
Omer ibn Hafs ibn Gijathi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Xhami ibn Shedadi e ky nga Safvan ibn Muhrizi se Imran ibn Husajni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shkova te Pejgamberi ﷺ, ndërsa devenë e lidha për dere. Atëherë, erdhën disa pjesëtarë të fisit benu temim, të cilëve Pejgamberi ﷺ u tha: “Pranojeni myzhdenë, o benu temimë!” Ata i thanë: “Myzhdenë na dhe, tani na jep edhe pasuri.” Kjo ndodhi dy herë. Pastaj erdhën disa jemenas, të cilëve Pejgamberi ﷺ u tha: “Pranojeni myzhdenë, o banorë të Jemenit, sepse benu temimët nuk e pranuan.” Ata thanë: “E pranuam, o i Dërguari i Allahut.” Pastaj thanë: “Kemi ardhur të të pyesim rreth kësaj çështjeje.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Allahu ka ekzistuar atëherë kur nuk ka ekzistuar asgjë përveç Tij. Arshi i Tij ka qenë mbi ujë. Në Dhikër (Pllakën e Ruajtur) shkroi çdo gjë dhe i krijoi qiejt dhe Tokën.” Papritmas dikush thirri: “Të iku deveja, o Ibn Husajn!” Kur dola, pashë se e kishte marrë rrugën nëpër vapë. Për Allahun, ah sikur ta kisha lënë (të ikte)!”