Sahihu i Buhariut — Hadithi 3198
2. Nënkapitulli: Transmetimet rreth shtatë tokëve
Allahu i Lartësuar ka thënë: - “Allahu është Ai, që ka krijuar shtatë qiej dhe po aq toka. Urdhrat e Tij zbresin përmes tyre, që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij.” (Talak, 12) “Dhe kulmin e ngritur!” (Tur, 5) - pra, qiellin. “Ia ngriti lart kupën dhe e përsosi.” (Naziat, 28) - përkatësisht, ndërtimin e saj. “Për qiellin e stolisur me yje!” (Dharijat, 7) - ngritja dhe bukuria e tij. “Duke dëgjuar me bindje Zotin e vet, siç e ka për detyrë.” (Inshikak, 2 dhe 5) - e dëgjon dhe i bindet. “Dhe të flakë atë që ka brenda e të zbrazet.” (Inshikak, 4) - pra, i nxjerr të vdekurit dhe boshatiset prej tyre. “Për Tokën dhe për Atë që e ka shtruar!” (Shems, 6) “Dhe kur papritmas do të gjenden mbi sipërfaqe (të ringjallur).” (Naziat, 14) - në fytyrë të tokës, ku rrinë kafshët dhe bëhet gjumi e pushimi.
3198. Nga: Seid ibn Zejd ibn Amër ibn Nufejli
Ubejd ibn Ismaili më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Seid ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Erva e paditi atë te Mervani për shkak të një toke, - për të cilën ajo pretendonte se Seidi ia kishte zvogëluar. - Seidi tha: “Unë t'i pakësoj diçka nga e drejta e saj?! Betohem se e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Atij që ia zapton tokën dikujt padrejtësisht, qoftë dhe sa një pëllëmbë, (Ditën e Kiametit) do t'i ngarkohen (në shpinë) shtatë të tilla.”
Ibn Ebu Zinadi transmeton nga Hishami, e ky nga babai i tij se Seid ibn Zejdi i ka thënë: “Hyra te Pejgamberi ﷺ.”