Sahihu i Buhariut — Hadithi 3201

4. Nënkapitulli: Cilësitë e Diellit dhe Hënës

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Dielli dhe Hëna ndjekin rrugën e caktuar.” (Rrahman, 5) “Për Diellin dhe shkëlqimin e tij!” (Shems, 1) “As Dielli nuk mund ta arrijë Hënën e as nata nuk mund t’ia kalojë ditës; të gjitha lundrojnë në orbitat e veta.” (Jasin, 40) “Një shenjë tjetër për ata është nata, prej së cilës Ne e tërheqim ditën dhe atëherë ata mbeten në errësirë.” (Jasin, 37) “Dhe do të çahet qielli, që atë ditë do të jetë i thyeshëm. Engjëjt do të rrinë skajeve të tij, kurse tetë prej tyre do të mbajnë Fronin e Zotit tënd.” (Haka, 16-17) “Netët i bëri të errëta, kurse ditët të ndritshme.” (Naziat, 29) “Dhe kur ra nata, ai e pa një yll dhe tha: "Ky është Zoti im!, por pasi perëndoi ai tha: "Nuk i dua ata që perëndojnë!” (Enam, 76) “Kur Dielli të mblidhet e të humbë shkëlqimin.” (Tekvir, 1) “(Betohem) Në natën e në gjithçka që ajo kaplon me errësirën e saj, si dhe në hënën e plotë.” (Inshikak, 17-18) “Ne kemi krijuar yjësi në qiell dhe e kemi zbukuruar atë për shikuesin.” (Hixhër, 16) “Qoftë i lartësuar Ai, i Cili e ka stolisur qiellin me yjësi dhe ka vënë në të një Kandil të ndritshëm dhe një Hënë që ndriçon.” (Furkan, 61) “As freskia (e hijes) dhe vapa.” (Fatir, 21) “Kjo është kështu, sepse Allahu e ndërfut natën te dita e ditën te nata dhe se Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka.” (Haxh, 61) “Vërtet mendoni se do të liheni të qetë para se Allahu t’i ketë njohur ata midis jush që kanë luftuar dhe që nuk kanë kërkuar aleatë të tjerë, përveç Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve?! Allahu e di mirë se çfarë bëni.” (Teube, 16)

3201. Nga: Abdullah ibn Omeri

Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Amri, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga babai i tij se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Eklipsi i Diellit dhe Hënës nuk ndodh si pasojë e vdekjes ose lindjes së ndonjë njeriu, mirëpo ato janë argumente të Allahut. Andaj, kur ta shihni (eklipsin) duke ndodhur, faluni.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3201

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?