Sahihu i Buhariut — Hadithi 3203

4. Nënkapitulli: Cilësitë e Diellit dhe Hënës

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Dielli dhe Hëna ndjekin rrugën e caktuar.” (Rrahman, 5) “Për Diellin dhe shkëlqimin e tij!” (Shems, 1) “As Dielli nuk mund ta arrijë Hënën e as nata nuk mund t’ia kalojë ditës; të gjitha lundrojnë në orbitat e veta.” (Jasin, 40) “Një shenjë tjetër për ata është nata, prej së cilës Ne e tërheqim ditën dhe atëherë ata mbeten në errësirë.” (Jasin, 37) “Dhe do të çahet qielli, që atë ditë do të jetë i thyeshëm. Engjëjt do të rrinë skajeve të tij, kurse tetë prej tyre do të mbajnë Fronin e Zotit tënd.” (Haka, 16-17) “Netët i bëri të errëta, kurse ditët të ndritshme.” (Naziat, 29) “Dhe kur ra nata, ai e pa një yll dhe tha: "Ky është Zoti im!, por pasi perëndoi ai tha: "Nuk i dua ata që perëndojnë!” (Enam, 76) “Kur Dielli të mblidhet e të humbë shkëlqimin.” (Tekvir, 1) “(Betohem) Në natën e në gjithçka që ajo kaplon me errësirën e saj, si dhe në hënën e plotë.” (Inshikak, 17-18) “Ne kemi krijuar yjësi në qiell dhe e kemi zbukuruar atë për shikuesin.” (Hixhër, 16) “Qoftë i lartësuar Ai, i Cili e ka stolisur qiellin me yjësi dhe ka vënë në të një Kandil të ndritshëm dhe një Hënë që ndriçon.” (Furkan, 61) “As freskia (e hijes) dhe vapa.” (Fatir, 21) “Kjo është kështu, sepse Allahu e ndërfut natën te dita e ditën te nata dhe se Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka.” (Haxh, 61) “Vërtet mendoni se do të liheni të qetë para se Allahu t’i ketë njohur ata midis jush që kanë luftuar dhe që nuk kanë kërkuar aleatë të tjerë, përveç Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve?! Allahu e di mirë se çfarë bëni.” (Teube, 16)

3203. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën kur ndodhi eklipsi i Diellit, i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit, mori tekbir (për të falur namaz) dhe lexoi gjatë (në kijam). Pastaj ra në ruku dhe qëndroi gjatë në të. U ngrit dhe tha: “Semiallahu limen hamideh (Allahu i përgjigjet atij që e falënderon), dhe vazhdoi të qëndrojë në këmbë siç ishte më parë, ku sërish lexoi gjatë, por më shkurt se herën e parë. Pastaj ra në ruku, ku qëndroi gjatë, por më shkurt se herën e parë dhe ra në sexhde, ku qëndroi gjatë. Njëjtë veproi edhe në rekatin e fundit dhe dha selam, ndërkohë Dielli ishte shfaqur tërësisht. Pastaj u ligjëroi njerëzve dhe, për eklipsin e Diellit dhe Hënës, u tha: “Ato janë argumente të Allahut. Eklipsi i tyre nuk ndodh për vdekjen ose lindjen e ndokujt, andaj, kur të shihni se (eklipsi) po ndodh, nxitoni me frikë për në namaz.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3203

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?