Sahihu i Buhariut — Hadithi 3206
5. Nënkapitulli: Transmetimet rreth ajetit: “Ai i dërgon erërat si lajmëtare të mëshirës së Tij...”
Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Apo jeni të sigurt, që Ai nuk do t’ju kthejë ju përsëri (në det) e, që nuk do t’ju dërgojë furtunë...?” (Isra, 69) “Ne i dërgojmë erërat për pllenim...” (Hixhr, 22) “A dëshiron ndonjëri nga ju që, duke qenë i moshuar e me fëmijë të mitur e të pambrojtur, kopshti i tij plot palma hurmash, vreshta e gjithfarë lloje frutash dhe i ujitur nga lumenj rrjedhës, të digjet nga një stuhi zjarri?!...” (Bekare, 266) “Gjithçka që jobesimtarët shpenzojnë në jetën e kësaj bote, i përngjan erës së akullt...” (Ali Imran, 117)
3206. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Mekij ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Xhurejxhi, e ky nga Atai se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ shihte ndonjë re të dendur në qiell, endej sa andej, sa këndej, hynte brenda e dilte jashtë dhe i ndryshonte fytyra. Nëse binte shi, çlirohej. Kështu, Aishja e pyeti rreth kësaj, e në atë rast ai tha: “E si ta di, ndoshta ndodh sikur me atë popullin që patën thënë: “Dhe, kur panë një re që u duk se vinte në drejtim të luginave të tyre, ata thanë: “Kjo re po sjell shiun! Jo!, - u përgjigj ai, - kjo është ajo që ju e keni shpejtuar: një erë që bart një dënim të dhembshëm.” (Ahkaf, 24)