Sahihu i Buhariut — Hadithi 3208

6. Nënkapitulli: Përmendja e melekëve

Enesi ka thënë: "Abdullah ibn Selami i tha Pejgamberit ﷺ: "Xhibrili ﷺ është meleku armik i hebrenjve." Ibn Abasi, në komentimin e ajetit: “Ne jemi ata që qëndrojmë në radhë”, (Safat, 165) ka thënë: "Janë për qëllim melekët."

3208. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Hasen ibn Rabiu na ka thënë: Na ka treguar Ebu Ahvasi, e ky nga Ameshi, e ky nga Zejd ibn Vehbiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ, - i sinqerti që i është thënë e vërteta, - ka thënë: “Çdo njeriu i tubohet krijimi në mitrën e nënës së tij për dyzet ditë, pastaj, për po aq ditë, shndërrohet në copë gjaku të varur, më pas, për po aq ditë, shndërrohet në copë mishi (sikurse mishi i përtypur). Pastaj, Allahu dërgon një melek që urdhërohet me katër gjëra dhe i thuhet: “Shkruaje veprën, furnizimin dhe jetëgjatësinë e tij, si dhe, nëse do të jetë fatzi apo i lumtur (në botën tjetër).” Më pas, i fryhet shpirti në të. Ndodh që ndokush të punojë vepra të atilla, saqë nuk mbetet mes tij dhe Xhenetit më shumë se një kut, por libri i tij ia parakalon, rrjedhimisht punon vepra të banorëve të Zjarrit (dhe përfundon në të), si dhe anasjelltas, punon vepra të atilla, saqë nuk mbetet mes tij dhe Zjarrit më shumë se një kut, por libri ia parakalon, rrjedhimisht punon vepra të banorëve të Xhenetit (dhe përfundon në të).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3208

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?