Sahihu i Buhariut — Hadithi 3243

8. Nënkapitulli: Transmetimet rreth përshkrimit të Xhenetit dhe se ai ekziston edhe tani

Ebu Alije ka thënë: "Xheneti është i pastër: aty nuk ka menstruacione, as urinë e as pështymë. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Sa herë që atyre t’u jepet si ushqim ndonjë frutë e kopshteve, ata do të thonë: "Këtë e kemi ngrënë edhe përpara." Por atyre do t’u jepen vetëm fruta të ngjashme...” (Bekare, 25) “Frutat e të cilit do t’i kapë lehtë.” (Haka, 23) dhe: “... duke ndenjur të mbështetur në shtretër të lartë...” (Kehf, 31) Haseni ka thënë: "Në fytyrë, ndriçimi, ndërsa në zemra, gëzimi." Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Prej një burimi të quajtur Selsebil.” (Insan, 18) “Prej saj as do të trullosen, as do të dehen.” (Safat, 47) “Vajza të reja, të së njëjtës moshë, dhe kupa të plota.” (Nebe, 33-34) “Fundi i të cilit është myshku. Për këtë, le të përpiqen ata që përpiqen. Dhe ai (musht) do të përzihet me ujin e Tesnimit.” (Mutafifin, 26-27) “Aty do të jenë dy burime që gulfojnë.” (Rrahman, 66) “Ata do të qëndrojnë në divane të stolisura me ar e gurë të çmuar.” (Vakia, 15) “Të dashura për bashkëshortët e tyre dhe moshatare me ta.” (Vakia, 37) “Pranë një uji rrjedhës.” (Vakia, 31) “Dhe në shtroje të ngritura (ku i presin hyritë).” (Vakia, 34) “Aty nuk do të dëgjojnë biseda të kota, as fjalë gjynahesh.” (Vakia, 25) “(Kopshtet do të jenë) të mbjella me pemë që bëjnë hije.” (Rrahman, 48) “... e frutat e dy kopshteve do t’i kenë afër sa t’i kapin me dorë.” (Rrahman, 54) “Ato do të jenë të stolisura me gjelbërim.” (Rrahman, 64)

3243. Nga: Ebu Musa Eshariu

Haxhaxh ibn Minhali na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e ky e ka dëgjuar Ebu Imran Xhevniun, e këtij i ka treguar Ebu Bekër ibn Abdullah ibn Kajs Eshariu se babai i tij Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Tendat (e Xhenetit) janë margaritarë të zgavruar për brenda, të gjata tridhjetë milje deri në qiell. Në çdo kënd të tyre qëndron nga një bashkëshorte e besimtarit dhe nuk e shohin njëra-tjetrën.”

Ebu Abdusamedi dhe Harith ibn Ubejdi transmetojnë nga Ebu Imrani se (Pejgamberi ﷺ) ka thënë: ”... gjashtëdhjetë milje.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3243

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?