Sahihu i Buhariut — Hadithi 3248

8. Nënkapitulli: Transmetimet rreth përshkrimit të Xhenetit dhe se ai ekziston edhe tani

Ebu Alije ka thënë: "Xheneti është i pastër: aty nuk ka menstruacione, as urinë e as pështymë. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Sa herë që atyre t’u jepet si ushqim ndonjë frutë e kopshteve, ata do të thonë: "Këtë e kemi ngrënë edhe përpara." Por atyre do t’u jepen vetëm fruta të ngjashme...” (Bekare, 25) “Frutat e të cilit do t’i kapë lehtë.” (Haka, 23) dhe: “... duke ndenjur të mbështetur në shtretër të lartë...” (Kehf, 31) Haseni ka thënë: "Në fytyrë, ndriçimi, ndërsa në zemra, gëzimi." Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Prej një burimi të quajtur Selsebil.” (Insan, 18) “Prej saj as do të trullosen, as do të dehen.” (Safat, 47) “Vajza të reja, të së njëjtës moshë, dhe kupa të plota.” (Nebe, 33-34) “Fundi i të cilit është myshku. Për këtë, le të përpiqen ata që përpiqen. Dhe ai (musht) do të përzihet me ujin e Tesnimit.” (Mutafifin, 26-27) “Aty do të jenë dy burime që gulfojnë.” (Rrahman, 66) “Ata do të qëndrojnë në divane të stolisura me ar e gurë të çmuar.” (Vakia, 15) “Të dashura për bashkëshortët e tyre dhe moshatare me ta.” (Vakia, 37) “Pranë një uji rrjedhës.” (Vakia, 31) “Dhe në shtroje të ngritura (ku i presin hyritë).” (Vakia, 34) “Aty nuk do të dëgjojnë biseda të kota, as fjalë gjynahesh.” (Vakia, 25) “(Kopshtet do të jenë) të mbjella me pemë që bëjnë hije.” (Rrahman, 48) “... e frutat e dy kopshteve do t’i kenë afër sa t’i kapin me dorë.” (Rrahman, 54) “Ato do të jenë të stolisura me gjelbërim.” (Rrahman, 64)

3248. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Abdullah ibn Muhamed Xhufiu na ka thënë: Na ka treguar Junus ibn Muhamedi, e këtij i ka treguar Shejbani, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberit ﷺ i dhuruan një xhybe mëndafshi, saqë njerëzit u mahnitën nga bukuria e saj, ndërkohë ai kishte ndaluar përdorimin e mëndafshit (për burra).” Ai tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se mindilët (shamitë e dorës) e Sad ibn Muadhit në Xhenet janë më të mirë se kjo.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3248

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?