Sahihu i Buhariut — Hadithi 3250

8. Nënkapitulli: Transmetimet rreth përshkrimit të Xhenetit dhe se ai ekziston edhe tani

Ebu Alije ka thënë: "Xheneti është i pastër: aty nuk ka menstruacione, as urinë e as pështymë. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Sa herë që atyre t’u jepet si ushqim ndonjë frutë e kopshteve, ata do të thonë: "Këtë e kemi ngrënë edhe përpara." Por atyre do t’u jepen vetëm fruta të ngjashme...” (Bekare, 25) “Frutat e të cilit do t’i kapë lehtë.” (Haka, 23) dhe: “... duke ndenjur të mbështetur në shtretër të lartë...” (Kehf, 31) Haseni ka thënë: "Në fytyrë, ndriçimi, ndërsa në zemra, gëzimi." Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Prej një burimi të quajtur Selsebil.” (Insan, 18) “Prej saj as do të trullosen, as do të dehen.” (Safat, 47) “Vajza të reja, të së njëjtës moshë, dhe kupa të plota.” (Nebe, 33-34) “Fundi i të cilit është myshku. Për këtë, le të përpiqen ata që përpiqen. Dhe ai (musht) do të përzihet me ujin e Tesnimit.” (Mutafifin, 26-27) “Aty do të jenë dy burime që gulfojnë.” (Rrahman, 66) “Ata do të qëndrojnë në divane të stolisura me ar e gurë të çmuar.” (Vakia, 15) “Të dashura për bashkëshortët e tyre dhe moshatare me ta.” (Vakia, 37) “Pranë një uji rrjedhës.” (Vakia, 31) “Dhe në shtroje të ngritura (ku i presin hyritë).” (Vakia, 34) “Aty nuk do të dëgjojnë biseda të kota, as fjalë gjynahesh.” (Vakia, 25) “(Kopshtet do të jenë) të mbjella me pemë që bëjnë hije.” (Rrahman, 48) “... e frutat e dy kopshteve do t’i kenë afër sa t’i kapin me dorë.” (Rrahman, 54) “Ato do të jenë të stolisura me gjelbërim.” (Rrahman, 64)

3250. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Një copë toke sa kamxhiku në Xhenet është më i çmueshëm se dynjaja dhe çfarë ka në të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3250

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?