Sahihu i Buhariut — Hadithi 3256

8. Nënkapitulli: Transmetimet rreth përshkrimit të Xhenetit dhe se ai ekziston edhe tani

Ebu Alije ka thënë: "Xheneti është i pastër: aty nuk ka menstruacione, as urinë e as pështymë. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Sa herë që atyre t’u jepet si ushqim ndonjë frutë e kopshteve, ata do të thonë: "Këtë e kemi ngrënë edhe përpara." Por atyre do t’u jepen vetëm fruta të ngjashme...” (Bekare, 25) “Frutat e të cilit do t’i kapë lehtë.” (Haka, 23) dhe: “... duke ndenjur të mbështetur në shtretër të lartë...” (Kehf, 31) Haseni ka thënë: "Në fytyrë, ndriçimi, ndërsa në zemra, gëzimi." Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Prej një burimi të quajtur Selsebil.” (Insan, 18) “Prej saj as do të trullosen, as do të dehen.” (Safat, 47) “Vajza të reja, të së njëjtës moshë, dhe kupa të plota.” (Nebe, 33-34) “Fundi i të cilit është myshku. Për këtë, le të përpiqen ata që përpiqen. Dhe ai (musht) do të përzihet me ujin e Tesnimit.” (Mutafifin, 26-27) “Aty do të jenë dy burime që gulfojnë.” (Rrahman, 66) “Ata do të qëndrojnë në divane të stolisura me ar e gurë të çmuar.” (Vakia, 15) “Të dashura për bashkëshortët e tyre dhe moshatare me ta.” (Vakia, 37) “Pranë një uji rrjedhës.” (Vakia, 31) “Dhe në shtroje të ngritura (ku i presin hyritë).” (Vakia, 34) “Aty nuk do të dëgjojnë biseda të kota, as fjalë gjynahesh.” (Vakia, 25) “(Kopshtet do të jenë) të mbjella me pemë që bëjnë hije.” (Rrahman, 48) “... e frutat e dy kopshteve do t’i kenë afër sa t’i kapin me dorë.” (Rrahman, 54) “Ato do të jenë të stolisura me gjelbërim.” (Rrahman, 64)

3256. Nga: Ebu Seid Hudriu

Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Malik ibn Enesi, e ky nga Safvan ibn Sulejmi, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Banorët e Xhenetit do t'i shohin banorët e dhomave sipër tyre ashtu si i shihni ju yjet e shndritshme të largëta në horizontin e lindjes ose perëndimit. Kjo, për shkak të dallimeve mes tyre.” E pyetën: “O i Dërguari i Allahut, a janë ato vendbanimet e pejgamberëve, rrjedhimisht askush përveç tyre nuk arrin atje?” Ai u përgjigj: “Përkundrazi, betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se ata janë burra që vërtet e kanë besuar Allahun dhe u janë përgjigjur pejgamberëve.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3256

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?