Sahihu i Buhariut — Hadithi 3260
10. Nënkapitulli: Përshkrimi i Xhehenemit dhe se ai ekziston edhe tani
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Përpos ujit të vluar dhe qelbësirave.” (Nebe, 25) “E as ushqim tjetër, përveç qelbit.” (Haka, 36) “Me të vërtetë, ju (idhujtarë) dhe idhujt që i adhuroni në vend të Allahut, do të jeni lëndë djegëse për Xhehenemin...” (Enbija, 98) “... ose, që nuk do të dërgojë mbi ju stuhi me rërë...” (Isra, 68) “Pas tyre është Xhehenemi, ku do të pinë ujë të qelbur.” (Ibrahim, 16) “... Sa herë të zbehet zjarri, Ne do t’ia shtojmë flakën.” (Isra, 97) “A e shihni zjarrin që e ndizni?” (Vakia, 71) “Ne e kemi bërë atë përkujtues (të zjarrit të Xhehenemit) dhe që t’u sjellë dobi nevojtarëve.” (Vakia, 73) “... tregojuni atyre rrugën e Zjarrit flakërues!” (Safat, 23) “Pastaj, ata do të kenë një përzierje me ujë të nxehtë (për të pirë).” (Safat, 67) “... do të hyjnë në zjarr, ku do t’i presin veç ofshamat e vajtimet.” (Hud, 106) “E do t’i shtyjmë të ligët në Xhehenem, si tufë e etur.” (Merjem, 86) “Pas tyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta. Ata do të pësojnë dënimin e madh.” (Merjem, 59) “Në ujë të valë e pastaj të digjen në zjarr.” (Gafir, 72) “Kundër jush do të dërgohen flakë zjarri dhe tunxh i shkrirë...” (Rrahman, 35) “... (e do t’u thuhet): "Shijoni dënimin me djegie të tmerrshme!” (Haxh, 22) “Ndërsa xhinët i krijoi prej flakës së zjarrit.” (Rrahman, 15) “Mirëpo, ata e mohojnë të Vërtetën kur u vjen, kështu që ata janë në gjendje të turbulluar.” (Kaf, 5) “Ai i ka lëshuar dy dete që të takohen.” (Rrahman, 19)
3260. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Xhehenemi iu ankua Zotit të vet, e i tha: “O Zoti im! Kam filluar ta ha vetveten!” Andaj, ia mundësoi dy frymëmarrje:
1. Njërën gjatë dimrit,
2. Kurse tjetrën gjatë verës. Pjesë e kësaj janë vapa e madhe dhe acari i tepërt që ndieni ju.”