Sahihu i Buhariut — Hadithi 3267

10. Nënkapitulli: Përshkrimi i Xhehenemit dhe se ai ekziston edhe tani

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Përpos ujit të vluar dhe qelbësirave.” (Nebe, 25) “E as ushqim tjetër, përveç qelbit.” (Haka, 36) “Me të vërtetë, ju (idhujtarë) dhe idhujt që i adhuroni në vend të Allahut, do të jeni lëndë djegëse për Xhehenemin...” (Enbija, 98) “... ose, që nuk do të dërgojë mbi ju stuhi me rërë...” (Isra, 68) “Pas tyre është Xhehenemi, ku do të pinë ujë të qelbur.” (Ibrahim, 16) “... Sa herë të zbehet zjarri, Ne do t’ia shtojmë flakën.” (Isra, 97) “A e shihni zjarrin që e ndizni?” (Vakia, 71) “Ne e kemi bërë atë përkujtues (të zjarrit të Xhehenemit) dhe që t’u sjellë dobi nevojtarëve.” (Vakia, 73) “... tregojuni atyre rrugën e Zjarrit flakërues!” (Safat, 23) “Pastaj, ata do të kenë një përzierje me ujë të nxehtë (për të pirë).” (Safat, 67) “... do të hyjnë në zjarr, ku do t’i presin veç ofshamat e vajtimet.” (Hud, 106) “E do t’i shtyjmë të ligët në Xhehenem, si tufë e etur.” (Merjem, 86) “Pas tyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta. Ata do të pësojnë dënimin e madh.” (Merjem, 59) “Në ujë të valë e pastaj të digjen në zjarr.” (Gafir, 72) “Kundër jush do të dërgohen flakë zjarri dhe tunxh i shkrirë...” (Rrahman, 35) “... (e do t’u thuhet): "Shijoni dënimin me djegie të tmerrshme!” (Haxh, 22) “Ndërsa xhinët i krijoi prej flakës së zjarrit.” (Rrahman, 15) “Mirëpo, ata e mohojnë të Vërtetën kur u vjen, kështu që ata janë në gjendje të turbulluar.” (Kaf, 5) “Ai i ka lëshuar dy dete që të takohen.” (Rrahman, 19)

3267. Nga: Usame ibn Zejdi

Aliu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ameshi se Ebu Vaili tregon: “Dikush i tha Usames (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Sikur të shkoje te filani (Othmani) dhe të flisje me të (rreth fitnes).” Ai u tha: “Ju po mendoni se nuk flas me të meqë nuk po ju tregoj?! Unë flas me të (për këto çështje) në fshehtësi, pa hapur një derë (atë të fitnes), gjë që nuk dua të jem unë i pari që e hap atë derë. Pas një hadithi që e kam dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut ﷺ, askujt nuk i them se është më i miri i njerëzve, madje edhe në qoftë prijësi im.” Ata e pyetën: “E çfarë e ke dëgjuar të thotë? E kam dëgjuar të thotë: “Ditën e Kiametit, njeriu do të sillet dhe do të hidhet në Zjarr, ku do t'i përhapen zorrët nëpër zjarr. Ai do të ecë rreth tyre siç ecën gomari rreth rrotës së mullirit. Banorët e Zjarrit do të tubohen rreth tij dhe do ta pyesin: “O filan, ç'është puna jote? A nuk urdhëroje për të mirë e na ndaloje të keqen (në dynja)?” Ai do të përgjigjet: “Ju urdhëroja për të mirë, porse vetë nuk e punoja, si dhe ju ndaloja të keqen, porse vetë e punoja.”

E transmeton edhe Gunderi nga Shuëbe, e ky nga Ameshi.

Referenca: Sahihu i Buhariut 3267

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?