Sahihu i Buhariut — Hadithi 3268

11. Nënkapitulli: Përshkrimi i Iblisit dhe ushtrisë së tij

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “(Kështu që) ata nuk e përgjojnë dot Grupin më të Lartë (melekët lart në qiej) dhe qëllohen (me meteorë) nga të gjitha anët. Pastaj, ashtu të përzënë, do të kenë vuajtje të përhershme (në jetën tjetër).” (Safat, 8-9) “Allahu i tha: “Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar!...” (Araf, 18) “Ata nuk adhurojnë tjetër veçse idhuj femërorë dhe nuk thërrasin tjetër përveç djallit kryengritës.” (Nisa, 117) “Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.” (Isra, 64) “Gjithashtu, tha: "A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua?" Nëse Ti më jep kohë deri në Ditën e Kiametit, unë do t’i shfaros me mashtrim pasardhësit e tij, përveç një pakice prej tyre!” (Isra, 62) “Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kurani), Ne do t’i caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm.” (Zuhruf, 36)

3268. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Isai, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberit ﷺ iu bë sihër dhe, si pasojë e kësaj, i përfytyrohej se bënte diçka, të cilën në realitet nuk e bënte. Kështu vazhdoi derisa një ditë u lut gjatë, pastaj më tha: “E di se Allahu më lajmëroi ku e kam shërimin? Erdhën dy burra dhe njëri u ul te koka ime, ndërsa tjetri te këmbët. Njëri i tha tjetrit:

- Çfarë sëmundjeje ka ky burrë?

- I është bërë sihër, - tha tjetri.

- Kush i ka bërë sihër? - pyeti i pari.

- Lebid ibn Asami.

- Në çfarë?

- Në krehër me flokë dhe thekun e hurmës.

- Ku janë të vendosura këto?

- Në Pusin Dhervan, - tha tjetri.”

Kështu, Pejgamberi ﷺ shkoi atje dhe, kur u kthye, më tha: “Frutat e kësaj hurme (afër pusit) dukeshin si koka shejtanësh.” Unë e pyeta: “E nxore, vallë (sihrin ose sihërbazin)?” Ai më tha: “Jo, sepse Allahu më ka shëruar dhe u frikësova se mund të nxiste telashe ndër njerëz.” Më pas, pusi u mbyll tërësisht.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3268

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?