Sahihu i Buhariut — Hadithi 3271

11. Nënkapitulli: Përshkrimi i Iblisit dhe ushtrisë së tij

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “(Kështu që) ata nuk e përgjojnë dot Grupin më të Lartë (melekët lart në qiej) dhe qëllohen (me meteorë) nga të gjitha anët. Pastaj, ashtu të përzënë, do të kenë vuajtje të përhershme (në jetën tjetër).” (Safat, 8-9) “Allahu i tha: “Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar!...” (Araf, 18) “Ata nuk adhurojnë tjetër veçse idhuj femërorë dhe nuk thërrasin tjetër përveç djallit kryengritës.” (Nisa, 117) “Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.” (Isra, 64) “Gjithashtu, tha: "A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua?" Nëse Ti më jep kohë deri në Ditën e Kiametit, unë do t’i shfaros me mashtrim pasardhësit e tij, përveç një pakice prej tyre!” (Isra, 62) “Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kurani), Ne do t’i caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm.” (Zuhruf, 36)

3271. Nga: Abdullah ibn Abasi

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e ky nga Mensuri, e ky nga Salim ibn Ebu Xhadi, e ky nga Kurejbi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur dikush prej jush i afrohet bashkëshortes së vet (për marrëdhënie seksuale) dhe thotë: “Bismilah, Allahume xhenibna shejtane ve xhenibi shejtane ma razaktena (Me emrin e Allahut. O Allah, largoje shejtanin prej nesh dhe largoje prej pasardhësit tonë)!”, nëse u është caktuar të furnizohen me fëmijë, atëherë shejtani nuk do të mund ta dëmtojë atë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3271

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?