Sahihu i Buhariut — Hadithi 3275
11. Nënkapitulli: Përshkrimi i Iblisit dhe ushtrisë së tij
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “(Kështu që) ata nuk e përgjojnë dot Grupin më të Lartë (melekët lart në qiej) dhe qëllohen (me meteorë) nga të gjitha anët. Pastaj, ashtu të përzënë, do të kenë vuajtje të përhershme (në jetën tjetër).” (Safat, 8-9) “Allahu i tha: “Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar!...” (Araf, 18) “Ata nuk adhurojnë tjetër veçse idhuj femërorë dhe nuk thërrasin tjetër përveç djallit kryengritës.” (Nisa, 117) “Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.” (Isra, 64) “Gjithashtu, tha: "A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua?" Nëse Ti më jep kohë deri në Ditën e Kiametit, unë do t’i shfaros me mashtrim pasardhësit e tij, përveç një pakice prej tyre!” (Isra, 62) “Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kurani), Ne do t’i caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm.” (Zuhruf, 36)
3275. Nga: Ebu Hurejra
Othman ibn Hejthemi na ka thënë: Na ka treguar Aufi, e ky nga Muhamed ibn Sirini se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më autorizoi ta ruaja sadakanë e (fitrit të) Ramazanit. Kështu, një person kishte ardhur dhe kishte filluar të merrte ushqim (nga sadakaja e fitrit), por unë e zura dhe i thashë: “Do të të dërgoj tek i Dërguari i Allahut ﷺ.” Pastaj, përmendi pjesën tjetër të ngjarjes dhe tha: “Ai (personi që merrte ushqim pa leje) më tha: “Kur të shtrihesh në shtrat, lexoje Ajetin Kursi. (Nëse vepron kështu,) një rojtar i Allahut do të të ruajë dhe nuk do të të afrohet asnjë shejtan deri në mëngjes.” Pejgamberi ﷺ më tha: “Ta ka thënë të vërtetën, edhe pse është gënjeshtar i madh. Ai ka qenë shejtani.”