Sahihu i Buhariut — Hadithi 3278

11. Nënkapitulli: Përshkrimi i Iblisit dhe ushtrisë së tij

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “(Kështu që) ata nuk e përgjojnë dot Grupin më të Lartë (melekët lart në qiej) dhe qëllohen (me meteorë) nga të gjitha anët. Pastaj, ashtu të përzënë, do të kenë vuajtje të përhershme (në jetën tjetër).” (Safat, 8-9) “Allahu i tha: “Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar!...” (Araf, 18) “Ata nuk adhurojnë tjetër veçse idhuj femërorë dhe nuk thërrasin tjetër përveç djallit kryengritës.” (Nisa, 117) “Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.” (Isra, 64) “Gjithashtu, tha: "A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua?" Nëse Ti më jep kohë deri në Ditën e Kiametit, unë do t’i shfaros me mashtrim pasardhësit e tij, përveç një pakice prej tyre!” (Isra, 62) “Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kurani), Ne do t’i caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm.” (Zuhruf, 36)

3278. Nga: Ubej ibn Kab Ensariu

Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Amri, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Xhubejri, e ky nga Ibn Abasi se Ubej ibn Kabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Musai i tha djaloshit (që e shoqëronte): “Na shtro për të ngrënë.” Ai ia ktheu: “Shiko! Kur ndaluam te shkëmbi, e harrova peshkun. Shejtani ishte ai që më bëri ta harroj.” Pra, Musai nuk ndjeu lodhje (dhe uri) derisa e kaloi vendin ku Allahu e kishte urdhëruar të ndalej.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3278

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?