Sahihu i Buhariut — Hadithi 3280
11. Nënkapitulli: Përshkrimi i Iblisit dhe ushtrisë së tij
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “(Kështu që) ata nuk e përgjojnë dot Grupin më të Lartë (melekët lart në qiej) dhe qëllohen (me meteorë) nga të gjitha anët. Pastaj, ashtu të përzënë, do të kenë vuajtje të përhershme (në jetën tjetër).” (Safat, 8-9) “Allahu i tha: “Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar!...” (Araf, 18) “Ata nuk adhurojnë tjetër veçse idhuj femërorë dhe nuk thërrasin tjetër përveç djallit kryengritës.” (Nisa, 117) “Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.” (Isra, 64) “Gjithashtu, tha: "A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua?" Nëse Ti më jep kohë deri në Ditën e Kiametit, unë do t’i shfaros me mashtrim pasardhësit e tij, përveç një pakice prej tyre!” (Isra, 62) “Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kurani), Ne do t’i caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm.” (Zuhruf, 36)
3280. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Jahja ibn Xhaferi na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Abdullah Ensariu, e këtij i ka treguar Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Atai se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur fillon të bjerë errësira e natës, mbani fëmijët tuaj brenda, sepse atëherë shpërndahen shejtanët. Pasi të kalojë një pjesë e mbrëmjes, lejoni të dalin. Po ashtu: mbyllni dyert duke thënë “bismilah”, fikni fanarët duke thënë “bismilah”, lidhni grykat e enëve të lëkurës duke thënë “bismilah”, mbuloni enët tuaja duke thënë “bismilah”, madje duke vendosur mbi to çfarëdo qoftë.”