Sahihu i Buhariut — Hadithi 3281

11. Nënkapitulli: Përshkrimi i Iblisit dhe ushtrisë së tij

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “(Kështu që) ata nuk e përgjojnë dot Grupin më të Lartë (melekët lart në qiej) dhe qëllohen (me meteorë) nga të gjitha anët. Pastaj, ashtu të përzënë, do të kenë vuajtje të përhershme (në jetën tjetër).” (Safat, 8-9) “Allahu i tha: “Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar!...” (Araf, 18) “Ata nuk adhurojnë tjetër veçse idhuj femërorë dhe nuk thërrasin tjetër përveç djallit kryengritës.” (Nisa, 117) “Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.” (Isra, 64) “Gjithashtu, tha: "A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua?" Nëse Ti më jep kohë deri në Ditën e Kiametit, unë do t’i shfaros me mashtrim pasardhësit e tij, përveç një pakice prej tyre!” (Isra, 62) “Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kurani), Ne do t’i caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm.” (Zuhruf, 36)

3281. Nga: Safije bint Hujeji

Mahmud Gajlani më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ali ibn Husejni se Safije bint Hujeji (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në itikaf, shkova ta vizitoja gjatë natës. Bisedova pak me të, pastaj u ngrita për t'u kthyer, por ai u ngrit me mua për të më përcjellë, - ajo banonte në shtëpinë e Usame ibn Zejdit. - Aty pranë kaluan dy burra ensarë dhe, kur e panë Pejgamberin ﷺ, shpejtuan. Pejgamberi ﷺ u tha: “Mos u ngutni, kjo është Safije bint Hujeji.” Ata i thanë: “Subhanallah, o i Dërguari i Allahut!” Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Shejtani qarkullon te njeriu siç qarkullon gjaku, andaj u frikësova mos po fut ndonjë të keqe, - ose ka thënë: diçka, - në zemrat tuaja.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3281

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?