Sahihu i Buhariut — Hadithi 3282

11. Nënkapitulli: Përshkrimi i Iblisit dhe ushtrisë së tij

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “(Kështu që) ata nuk e përgjojnë dot Grupin më të Lartë (melekët lart në qiej) dhe qëllohen (me meteorë) nga të gjitha anët. Pastaj, ashtu të përzënë, do të kenë vuajtje të përhershme (në jetën tjetër).” (Safat, 8-9) “Allahu i tha: “Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar!...” (Araf, 18) “Ata nuk adhurojnë tjetër veçse idhuj femërorë dhe nuk thërrasin tjetër përveç djallit kryengritës.” (Nisa, 117) “Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.” (Isra, 64) “Gjithashtu, tha: "A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua?" Nëse Ti më jep kohë deri në Ditën e Kiametit, unë do t’i shfaros me mashtrim pasardhësit e tij, përveç një pakice prej tyre!” (Isra, 62) “Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kurani), Ne do t’i caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm.” (Zuhruf, 36)

3282. Nga: Sulejman ibn Suredi

Abdani na ka thënë: Na ka treguar Ebu Hamzai, e ky nga Ameshi, e ky nga Adij ibn Thabiti se Sulejman ibn Suredi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po qëndroja me Pejgamberin ﷺ, dy burra filluan të grindeshin mes vete. Njërit prej tyre iu skuq fytyra dhe iu frynë damarët (nga zemërimi). Pejgamberi ﷺ tha: “Unë di një fjalë, të cilën, nëse e thotë, do t'i kalojë ajo që e ka kapluar. Sikur të thotë: “Eudhu bilahi mine shejtani (Kërkoj mbrojtjen e Allahut kundrejt shejtanit)!”, do t'i kalojë kjo gjendje që e ka kapluar.” Andaj, personit në fjalë i thanë: “Pejgamberi ﷺ po thotë të kërkosh mbrojtjen e Allahut kundrejt shejtanit.” Ai tha: “Vallë, mos jam gjë i çmendur?”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3282

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?