Sahihu i Buhariut — Hadithi 3285
11. Nënkapitulli: Përshkrimi i Iblisit dhe ushtrisë së tij
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “(Kështu që) ata nuk e përgjojnë dot Grupin më të Lartë (melekët lart në qiej) dhe qëllohen (me meteorë) nga të gjitha anët. Pastaj, ashtu të përzënë, do të kenë vuajtje të përhershme (në jetën tjetër).” (Safat, 8-9) “Allahu i tha: “Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar!...” (Araf, 18) “Ata nuk adhurojnë tjetër veçse idhuj femërorë dhe nuk thërrasin tjetër përveç djallit kryengritës.” (Nisa, 117) “Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.” (Isra, 64) “Gjithashtu, tha: "A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua?" Nëse Ti më jep kohë deri në Ditën e Kiametit, unë do t’i shfaros me mashtrim pasardhësit e tij, përveç një pakice prej tyre!” (Isra, 62) “Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kurani), Ne do t’i caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm.” (Zuhruf, 36)
3285. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Evzaiu, e ky nga Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur të thirret ezani për namaz, shejtani largohet duke lëshuar gazra. Pasi të kryhet ezani, kthehet (dhe qëndron) derisa të thirret ikameti për namaz, e në atë rast ikën sërish. Pas ikametit, vjen sërish e hyn mes njeriut dhe zemrës së tij (i pëshpërit), duke i thënë: “Kujtoje këtë e atë!”, derisa ta bëjë njeriun të harrojë nëse i ka falur tri apo katër rekate. Andaj, nëse nuk di nëse i ka falur tri apo katër, në fund le t'i bëjë dy sexhde të harresës.”