Sahihu i Buhariut — Hadithi 3287
11. Nënkapitulli: Përshkrimi i Iblisit dhe ushtrisë së tij
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “(Kështu që) ata nuk e përgjojnë dot Grupin më të Lartë (melekët lart në qiej) dhe qëllohen (me meteorë) nga të gjitha anët. Pastaj, ashtu të përzënë, do të kenë vuajtje të përhershme (në jetën tjetër).” (Safat, 8-9) “Allahu i tha: “Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar!...” (Araf, 18) “Ata nuk adhurojnë tjetër veçse idhuj femërorë dhe nuk thërrasin tjetër përveç djallit kryengritës.” (Nisa, 117) “Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.” (Isra, 64) “Gjithashtu, tha: "A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua?" Nëse Ti më jep kohë deri në Ditën e Kiametit, unë do t’i shfaros me mashtrim pasardhësit e tij, përveç një pakice prej tyre!” (Isra, 62) “Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kurani), Ne do t’i caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm.” (Zuhruf, 36)
3287. Nga: Ebu Derdai
Malik ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Israili, e ky nga Mugire, e ky nga Ibrahimi se Alkame tregon: “Shkova në Sham (dhe dikush erdhi e u ul afër meje). Më treguan se është Ebu Derdai (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili më tha: “A është me ju personi të cilin Allahu e ka mbrojtur prej shejtanit, me gjuhën e të Dërguarit të Tij ﷺ?”
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: “Na ka treguar Shuëbe nga Mugire se ka thënë: “Personi të cilin Allahu e ka mbrojtur prej shejtanit, me gjuhën e të Dërguarit të Tij ﷺ, është Amari.”