Sahihu i Buhariut — Hadithi 3290

11. Nënkapitulli: Përshkrimi i Iblisit dhe ushtrisë së tij

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “(Kështu që) ata nuk e përgjojnë dot Grupin më të Lartë (melekët lart në qiej) dhe qëllohen (me meteorë) nga të gjitha anët. Pastaj, ashtu të përzënë, do të kenë vuajtje të përhershme (në jetën tjetër).” (Safat, 8-9) “Allahu i tha: “Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar!...” (Araf, 18) “Ata nuk adhurojnë tjetër veçse idhuj femërorë dhe nuk thërrasin tjetër përveç djallit kryengritës.” (Nisa, 117) “Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.” (Isra, 64) “Gjithashtu, tha: "A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua?" Nëse Ti më jep kohë deri në Ditën e Kiametit, unë do t’i shfaros me mashtrim pasardhësit e tij, përveç një pakice prej tyre!” (Isra, 62) “Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kurani), Ne do t’i caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm.” (Zuhruf, 36)

3290. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Zekerija ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka rrëfyer Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Uhudit, kur idhujtarët u mposhtën, Iblisi kishte thirrur: “O robër të Allahut! Mbrapa jush!” Kështu, ata që ishin përpara, u kthyen mbrapa dhe u përballën me të fundit. Hudhejfe shikoi dhe e pa babanë e vet, Jemanin, dhe thirri: “O robër të Allahut, (ai është) babai im, babai im!” Por, ata nuk u ndalën derisa e vranë. Pastaj Hudhejfe tha: “Allahu ju faltë!”

Urve tregon: “Hudhejfe vazhdonte të bënte lutje dhe të kërkonte falje për atë që ia vrau babanë gabimisht, deri në vdekje.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3290

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?