Sahihu i Buhariut — Hadithi 3291

11. Nënkapitulli: Përshkrimi i Iblisit dhe ushtrisë së tij

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “(Kështu që) ata nuk e përgjojnë dot Grupin më të Lartë (melekët lart në qiej) dhe qëllohen (me meteorë) nga të gjitha anët. Pastaj, ashtu të përzënë, do të kenë vuajtje të përhershme (në jetën tjetër).” (Safat, 8-9) “Allahu i tha: “Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar!...” (Araf, 18) “Ata nuk adhurojnë tjetër veçse idhuj femërorë dhe nuk thërrasin tjetër përveç djallit kryengritës.” (Nisa, 117) “Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.” (Isra, 64) “Gjithashtu, tha: "A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua?" Nëse Ti më jep kohë deri në Ditën e Kiametit, unë do t’i shfaros me mashtrim pasardhësit e tij, përveç një pakice prej tyre!” (Isra, 62) “Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kurani), Ne do t’i caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm.” (Zuhruf, 36)

3291. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Hasen ibn Rabiu na ka thënë: Na ka treguar Ebu Ahvasi, e ky nga Eshathi, e ky nga babai i tij, e ky nga Mesruku se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pyeta Pejgamberin ﷺ në lidhje me shpërqendrimin e njeriut në namaz, e në atë rast më tha: “Ajo është gjë e grabitur, që shejtani e grabit prej namazit të ndokujt prej jush.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3291

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?