Sahihu i Buhariut — Hadithi 3293
11. Nënkapitulli: Përshkrimi i Iblisit dhe ushtrisë së tij
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “(Kështu që) ata nuk e përgjojnë dot Grupin më të Lartë (melekët lart në qiej) dhe qëllohen (me meteorë) nga të gjitha anët. Pastaj, ashtu të përzënë, do të kenë vuajtje të përhershme (në jetën tjetër).” (Safat, 8-9) “Allahu i tha: “Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar!...” (Araf, 18) “Ata nuk adhurojnë tjetër veçse idhuj femërorë dhe nuk thërrasin tjetër përveç djallit kryengritës.” (Nisa, 117) “Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.” (Isra, 64) “Gjithashtu, tha: "A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua?" Nëse Ti më jep kohë deri në Ditën e Kiametit, unë do t’i shfaros me mashtrim pasardhësit e tij, përveç një pakice prej tyre!” (Isra, 62) “Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kurani), Ne do t’i caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm.” (Zuhruf, 36)
3293. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Sumeji, i çrobëruari i Ebu Bekrit, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që thotë njëqind herë në ditë: “La ilahe il-lallahu vahdehu la sherike leh. Lehul mulku ve lehul hamdu, ve huve ala kuli shejin kadir (S'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, të Vetmit që nuk ka ortak. Atij i takon sundimi dhe lavdi, Ai ka fuqi për çdo gjë)”, i numërohen sikur t'i ketë liruar dhjetë robër, i shkruhen njëqind të mira e i fshihen njëqind mëkate dhe i bëhen strehim kundrejt shejtanit për tërë ditën deri në mbrëmje. Askush nuk ka vepruar diçka më me vlerë se kjo, përveç atij që punon (thotë) më shumë se kaq.”