Sahihu i Buhariut — Hadithi 3294
11. Nënkapitulli: Përshkrimi i Iblisit dhe ushtrisë së tij
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “(Kështu që) ata nuk e përgjojnë dot Grupin më të Lartë (melekët lart në qiej) dhe qëllohen (me meteorë) nga të gjitha anët. Pastaj, ashtu të përzënë, do të kenë vuajtje të përhershme (në jetën tjetër).” (Safat, 8-9) “Allahu i tha: “Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar!...” (Araf, 18) “Ata nuk adhurojnë tjetër veçse idhuj femërorë dhe nuk thërrasin tjetër përveç djallit kryengritës.” (Nisa, 117) “Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.” (Isra, 64) “Gjithashtu, tha: "A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua?" Nëse Ti më jep kohë deri në Ditën e Kiametit, unë do t’i shfaros me mashtrim pasardhësit e tij, përveç një pakice prej tyre!” (Isra, 62) “Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kurani), Ne do t’i caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm.” (Zuhruf, 36)
3294. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Abdulhamid ibn Abdurrahman ibn Zejdi, e këtij i ka treguar Muhamedi, i biri i Sad ibn Ebu Vekasit se babai i tij Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa disa gra ishin duke biseduar me të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe po e tepronin duke i ngritur zërat, Omeri kërkoi leje për të hyrë. Me të dëgjuar Omerin, ato nxituan për të kaluar në pjesën pas perdes dhe Pejgamberi ﷺ, duke qeshur, i dha leje Omerit për të hyrë. Omeri i tha: “Allahu të bëftë gjithnjë të qeshur, o i Dërguari i Allahut!” Pejgamberi ﷺ i tha: “U habita me këto që janë të pranishme, kur dëgjuan zërin tënd, nxituan për të kaluar në pjesën pas perdes.” Omeri i tha: “Ama, ti, o i Dërguari i Allahut, je më meritor që të kenë frikërespekt ndaj teje!” Pastaj u ngrit dhe tha: “Oj armiket e vetvetes, po keni frikërespekt ndaj meje, ndërsa për të Dërguarin e Allahut ﷺ jo?!” Ato i thanë: “Po, sepse ti je më nevrik dhe më i vrazhdë se i Dërguari i Allahut.” Pejgamberi ﷺ tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im se, sa herë që shejtani të has ty në ndonjë rrugë, detyrohet të ndjekë rrugë tjetër.”