Sahihu i Buhariut — Hadithi 3295
11. Nënkapitulli: Përshkrimi i Iblisit dhe ushtrisë së tij
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “(Kështu që) ata nuk e përgjojnë dot Grupin më të Lartë (melekët lart në qiej) dhe qëllohen (me meteorë) nga të gjitha anët. Pastaj, ashtu të përzënë, do të kenë vuajtje të përhershme (në jetën tjetër).” (Safat, 8-9) “Allahu i tha: “Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar!...” (Araf, 18) “Ata nuk adhurojnë tjetër veçse idhuj femërorë dhe nuk thërrasin tjetër përveç djallit kryengritës.” (Nisa, 117) “Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.” (Isra, 64) “Gjithashtu, tha: "A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua?" Nëse Ti më jep kohë deri në Ditën e Kiametit, unë do t’i shfaros me mashtrim pasardhësit e tij, përveç një pakice prej tyre!” (Isra, 62) “Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kurani), Ne do t’i caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm.” (Zuhruf, 36)
3295. Nga: Ebu Hurejra
Ibrahim ibn Hamzai më ka thënë: Më ka treguar Ibn Ebu Hazimi, e ky nga Jezidi, e ky nga Muhamed ibn Ibrahimi, e ky nga Isa ibn Talhai se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur dikush zgjohet nga gjumi dhe merr abdes, le t'u fryjë hundëve tri herë, sepse shejtani bun në hundën e tij.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3295
Fjalë të panjohura?