Sahihu i Buhariut — Hadithi 3497

1. Nënkapitulli: Virtytet

Allahu Fuqiplotë ka thënë: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Të asgjë nuk është e fshehtë.” (Huxhurat, 13) “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej tij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.” (Nisa, 1) Veprimet e ndaluara të injorancës paraislame.

3497. Nga: Abdullah ibn Abasi

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Shuëbe, e këtij i ka treguar Abdulmeliku, e ky nga Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në lidhje me ajetin: “... përveçse dashurisë ndaj të afërmve...”, (Shura, 23) tregon se Seid ibn Xhubejri ka thënë se është për qëllim farefisnia e Muhamedit ﷺ. Ibn Abasi ka thënë: “Pejgamberi ﷺ kishte afërsi me çdonjërën prej degëve (fiseve) kurejshe. Atëherë zbriti ky ajet, pra, përveç nëse i mbani lidhjet farefisnore që i kemi mes nesh.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3497

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?