Sahihu i Buhariut — Hadithi 3510
5. Nënkapitull
3510. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ebu Xhemra se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur delegacioni i Abdulkajsit vajti te Pejgamberi ﷺ, thanë: “O i Dërguari i Allahut, ne jemi pjesëtarë nga fisi rebia, mes nesh e jush ndodhet vendbanimi i jobesimtarëve të Mudarit, kështu që nuk po mund të vijmë te ti, përveçse në muajt e shenjtë. Andaj, sikur të na urdhëroje diçka konkrete, që t'i njoftojmë edhe ata që i kemi lënë mbrapa.” Atëherë, Pejgamberi ﷺ u tha: “Ju urdhëroj katër gjëra dhe jua ndaloj katër të tjera:
1. “Besimin në Allahun, dëshminë se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut,
2. Faljen e namazit,
3. Dhënien e zekatit dhe
4. Dhënien e një të pestës nga preja e luftës.
Ndërkaq, ju ndaloj nga ena prej kungullit, shtamba, varela dhe vorba e katranosur (për fermentimin e mushtit).”