Sahihu i Buhariut — Hadithi 3586

25. Nënkapitulli: Shenjat e pejgamberisë në Islam

3586. Nga: Hudhejfe ibn Jemani

Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Adiu, e ky nga Shuëbe, e këtij i ka treguar Bishr ibn Halidi, e këtij i ka treguar Muhamedi, e ky nga Shuëbe, e ky nga Sulejmani, e ky e ka dëgjuar Ebu Vailin se Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omer ibn Hatabi pyeti: “Cili prej jush e di hadithin e të Dërguarit të Allahut ﷺ rreth fitneve?”

- Unë e di ashtu siç e ka thënë (Pejgamberi ﷺ) - i thashë.

- Ma thuaj! Ti, me të vërtetë, ke guxim (ta tregosh), - tha Omeri.

- “Sprovat e njeriut në familjen, pasurinë dhe fqinjët e tij shlyhen nga namazi i tij, sadakaja e urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja”, - thashë.

- Nuk është kjo që po kërkoj. E kam fjalën për fitnen, e cila do të tallazohet siç tallazohet deti, - tha Omeri.

- O prijës i besimtarëve, nuk ke pse shqetësohesh për të! Mes teje dhe saj është një derë e mbyllur, - i thashë.

- A do të thyhet kjo derë, vallë, apo do të hapet? - pyeti Omeri.

- Do të thyhet.

- Atëhere, nuk paska për t'u mbyllur kurrë, - tha Omeri.

Shekiku thotë: “Dikush prej nesh e pyeti Hudhejfën: “A e dinte Omeri, vallë, se kush ishte ajo derë?” Ai tha: “Po, ashtu siç e dinte se të sotmen e pason e nesërmja, ngaqë unë i tregova një hadith që nuk përmban gënjeshtra.” Nuk patëm guxim ta pyesnim Hudhejfën (se kush ishte dera e përmendur në hadith), andaj e porositëm Mesrukun dhe ai pyeti: “Kush ishte kjo derë?” Ai tha: “Ajo derë ishte vetë Omeri.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3586

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?