Sahihu i Buhariut — Hadithi 3620

25. Nënkapitulli: Shenjat e pejgamberisë në Islam

3620. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Abdullah ibn Ebu Husejni, e këtij i ka treguar Nafi ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ, erdhi Musejlime Gënjeshtërmadhi dhe tha: “Nëse Muhamedi ma dorëzon pejgamberinë pas vdekjes së vet, do ta pasoj.” Në Medinë kishte ardhur me një grup të madh njerëzish nga fisi i vet. I Dërguari i Allahut ﷺ, së bashku me Thabit ibn Kajs ibn Shemasin, u nisën për ta takuar atë, ndërkohë i Dërguari i Allahut ﷺ në dorë po mbante një copë degë hurme. Kur arritën pranë Musejlemes dhe shokëve të tij, i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Edhe po të ishte ajo që ti ma kërkon një copë dege si kjo, nuk do të ta jepja. Caktimin e Allahut ndaj teje nuk do të mund ta tejkalosh, e nëse ia kthen shpinën (udhëzimit tim), Allahu do të të shkatërrojë. Po shoh se ti qenke pikërisht ai për të cilin jam lajmëruar në ëndërr.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3620

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?