Sahihu i Buhariut — Hadithi 3646

28. Nënkapitull

3646. Nga: Ebu Hurejra

Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga Salih Semani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kuajt janë për tre lloj personash:

1. Për dikë janë shpërblim,

2. Për dikë mburojë,

3. Për dikë janë barrë (mëkat).

Shpërblim janë për atë që rezervon kalin për luftë në rrugën e Allahut dhe, kur e lidh, ia lë litarin të gjatë në kullosë ose kopsht. Çfarëdo që ha nga kullosa ose kopshti, pronarit i llogaritet shpërblim. Nëse ndodh ta këpusë litarin dhe të ikë një ose dy kodra larg, bajgat e tij i llogariten shpërblim pronarit. Nëse kalon pranë lumit dhe pi, pa dashur t'i japë ujë pronari, pronarit sërish i llogaritet shpërblim.

Ndërkaq, atij që mban kalë, për qëllime personale fitimprurëse, për të mënjanuar varfërinë dhe për ta ruajtur nderin, por nuk e harron obligimin e përkujdesjes ndaj tij, me të cilin Allahu e ka ngarkuar, i llogaritet mburojë (nga varfëria).

Ndërkaq, ai person që mban kalë për t'u krenuar, për syefaqësi dhe e shfrytëzon në armiqësi të muslimanëve, të tillit i llogaritet barrë (mëkat).” Pejgamberi ﷺ u pyet për gomarët, e në atë rast u përgjigj: “Nuk më ka zbritur shpallje që flet konkretisht për këtë, përveç këtyre ajeteve të përgjithshme e të pashoqe: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë. E, kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Zelzele, 7-8)

Referenca: Sahihu i Buhariut 3646

Fjalë të panjohura?