Sahihu i Buhariut — Hadithi 3953
4. Nënkapitulli: Ajetet: “Ju kërkuat ndihmë nga Zoti juaj e Ai ju përgjigj: "Unë do t’ju ndihmoj me një mijë melekë, të cilët do të vijnë njëri pas tjetrit. Allahu e bëri këtë fitore si lajm të mirë, që të qetësohen zemrat tuaja me të. Fitorja vjen vetëm nga Allahu. Me të vërtetë, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë. Ai bëri që ju të koteni në gjumë të lehtë si shenjë sigurie nga ana e Tij dhe lëshoi nga qielli shi, për t’ju pastruar nëpërmjet atij, për të larguar nga ju ndyrësinë e shejtanit dhe për t’i forcuar zemrat tuaja dhe këmbët. (Kujto o Muhamed) kur Zoti yt i frymëzoi melekët: "Unë jam me ju, andaj forcojini ata që besojnë. Unë do të shtie frikë në zemrat e mohuesve, andaj goditini në qafë dhe në të gjithë gishtërinjtë. Ne i dënuam kështu, sepse ata dolën kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Kushdo që del kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ta dijë se Allahu është ndëshkues i ashpër.”
3953. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamed ibn Abdullah ibn Haushebi më ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Halidi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se ditën e Bedrit, Pejgamberi ﷺ ka thënë: “O Allah! Po të përgjërohem të na realizosh betimin dhe premtimin Tënd! O Allah, nëse Ti do, atëherë (pas së sotmes) nuk do të adhurohesh (nga askush).” Atëherë, Ebu Bekri e kapi për dore dhe i tha: “Mjafton!” Pejgamberi ﷺ duke dalë (nga tenda) thoshte: “Së shpejti do të thyhet grupi dhe (secili prej tyre) do t'ia mbathë.” (Kamer, 45)