Sahihu i Buhariut — Hadithi 3976
8. Nënkapitulli: Vrasja e Ebu Xhehlit
3976. Nga: Ebu Talha Ensariu
Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: E kam dëgjuar Rahv ibn Ubaden, e këtij i ka treguar Seid ibn Ebu Arube, e ky nga Katadja se ka thënë: Enes ibn Maliku na ka përmendur se Ebu Talhai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Bedrit i Dërguari i Allahut ﷺ urdhëroi që njëzet e katër prijësit e vrarë të kurejshëve të hidheshin në një prej humnerave të stërndyra të Bedrit. Kur Pejgamberi ﷺ mposhtte ndonjë armik, në mejdan qëndronte tri net. Në ditën e tretë të Bedrit, urdhëroi që t'i përgatitet deveja dhe u nis. Shokët e vet i shkuan pas dhe thoshin: “Si duket është duke shkuar për nevojë.” Pejgamberi ﷺ eci, derisa u ndal buzë humnerës dhe filloi t'i thërrasë në emrat e tyre dhe të baballarëve të tyre: “O ti filan, i biri i filanit! O ti filan, i biri i filanit! A do të ishit të lumtur po t'i bindeshit Allahut dhe të Dërguarit të Tij? Ne, atë që Zoti ynë na ka premtuar, e gjetëm të vërtetë. Vallë, e keni gjetur ju të vërtetë atë që Allahu jua ka premtuar?” Omeri tha: “O i Dërguari i Allahut, po u flet trupave që nuk kanë shpirt?”
- “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se këto që po i them, ata i dëgjojnë më mirë se ju”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Katadja ka thënë: “Allahu i ngjalli ata që të dëgjojnë fjalët e tij si: qortim, nënçmim, hakmarrje, dëshpërim dhe keqardhje për ta.”