Sahihu i Buhariut — Hadithi 4028

14. Nënkapitulli: Tregimi i fisit benu nadir, shkuarja e të Dërguarit të Allahut tek ata për të kërkuar shpagimin e gjakut të dy burrave dhe tradhtinë që deshën t’ia bëjnë të Dërguarit të Allahut ﷺ

Zuhriu transmeton se Urve ibn Zubejri ka thënë: "Ajo ndodhi gjashtë muaj pas Luftës së Bedrit dhe para Luftës së Uhudit." Fjala e Allahut të Madhëruar: “Është Ai, që i nxori nga shtëpitë e tyre ata që nuk besuan nga ithtarët e Librit...” (Hashr, 2) Ibn Is’haku ka thënë se kjo ka ndodhur pas ekspeditës te Pusi i Meunes dhe asaj të Uhudit.

4028. Nga: Abdullah ibn Omeri

Is'hak ibn Nasri na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e ky nga Musa ibn Ukbe, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Fiset kurejdha dhe benu nadir e kanë luftuar Pejgamberin ﷺ. Kështu, ai e dëboi fisin benu nadir, ndërsa fisin kurejdha e la aty pa i konfiskuar asgjë, derisa kurejdha (e tradhtoi dhe) e luftoi atë. Atëherë Pejgamberi ﷺ dha urdhër që burrat të vriten, ndërsa gratë, fëmijët dhe pasurinë e tyre ua ndau muslimanëve, përveç disave që iu bashkuan Pejgamberit ﷺ, të cilët i siguroi dhe e pranuan Islamin. I dëboi të gjitha fiset e hebrenjve të Medinës: benu kajnukan, të cilët ishin fisi i Abdullah ibn Selamit, hebrenjtë e benu harithes dhe të gjithë hebrenjtë e Medinës.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 4028

Fjalë të panjohura?