Sahihu i Buhariut — Hadithi 4034
14. Nënkapitulli: Tregimi i fisit benu nadir, shkuarja e të Dërguarit të Allahut tek ata për të kërkuar shpagimin e gjakut të dy burrave dhe tradhtinë që deshën t’ia bëjnë të Dërguarit të Allahut ﷺ
Zuhriu transmeton se Urve ibn Zubejri ka thënë: "Ajo ndodhi gjashtë muaj pas Luftës së Bedrit dhe para Luftës së Uhudit." Fjala e Allahut të Madhëruar: “Është Ai, që i nxori nga shtëpitë e tyre ata që nuk besuan nga ithtarët e Librit...” (Hashr, 2) Ibn Is’haku ka thënë se kjo ka ndodhur pas ekspeditës te Pusi i Meunes dhe asaj të Uhudit.
4034. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Urve ibn Zubejri, pasi që ia tregova këtë hadith më ka thënë: Malik ibn Evsi e ka thënë të vërtetën kur ka transmetuar se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Gratë e Pejgamberit ﷺ e dërguan Othmanin tek Ebu Bekri që t'i kërkojnë një të tetën e asaj që Allahu ia ka dhënë të Dërguarit të Tij ﷺ, ndërsa unë i kundërshtoja ato, duke u thënë: “A nuk e keni frikë Allahun?” A nuk e dini se Pejgamberi ﷺ thoshte: “Ne nuk trashëgohemi. Atë që lëmë, mbetet sadaka? - me këtë kishte për qëllim veten e tij. - Familja e Muhamedit hanë prej kësaj pasurie.” Atëherë, pasi ua thashë këtë, gratë e Pejgamberit ﷺ u ndalën.
Urve ka thënë: “Kjo sadaka ishte në dorën e Aliut. Ai nuk ia dha Abasit dhe e mbizotëroi menaxhimin e saj. Pastaj kaloi në dorën e Hasen ibn Aliut, pastaj në dorën e Husejn ibn Aliut, pastaj në dorën e Ali ibn Husejnit dhe Hasen ibn Hasenit, të cilët e menaxhonin së bashku. Pastaj kaloi në dorën e Zejd ibn Hasenit dhe, me të drejtë, ajo ishte sadakaja e të Dërguarit të Allahut.”