Sahihu i Buhariut — Hadithi 4043
17. Nënkapitulli: Beteja e Uhudit
Ajetet: “Atë mëngjes, kur ti (o Muhamed) dole nga shtëpia jote për t’u caktuar besimtarëve vendet e luftës, e Allahu dëgjon dhe di çdo gjë.” (Ali Imran, 121) “Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Nëse ju ka goditur ndonjë plagë, edhe popullin (armik) e kanë goditur të tilla plagë. Ato ditë (fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve, që Allahu t’i dallojë besimtarët dhe për t’i bërë disa nga ju dëshmorë. Allahu nuk i do keqbërësit. E kështu, Allahu i dëlir besimtarët e i shuan jobesimtarët. A mendoni se do të hyni në Xhenet, pa i provuar Allahu ata që kanë luftuar prej jush dhe pa i provuar ata që kanë duruar? Ju e dëshironit vdekjen para se të ballafaqoheshit me të dhe ja pra, ju e patë atë me sytë tuaj.” (Ali Imran, 139-143) “Vërtet Allahu e plotësoi premtimin e Vet, kur ju me vullnetin e Tij e thyet armikun. Por, kur ju u frikësuat, u grindët midis jush dhe kundërshtuat (Pejgamberin ﷺ), pasi Ai ju tregoi atë që pëlqenit, (Allahu e tërhoqi ndihmën e Vet). Disa nga ju dëshirojnë këtë botë, ndërsa të tjerë nga ju dëshirojnë botën tjetër. Pastaj Ai, për t’ju provuar, bëri që të zmbrapseni para armikut dhe pastaj, sigurisht që jua fali atë gabim. Allahu ka mirësi të madhe për besimtarët.” (Ali Imran, 152) “Kurrsesi mos i quani të vdekur ata që janë vrarë në rrugën e Allahut. Jo, janë të gjallë, duke u ushqyer te Zoti i tyre.” (Ali Imran, 169)
4043. Nga: Bera ibn Azibi
Ubejdullah ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Israili, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “(Ditën e Uhudit) u ndeshëm me idhujtarët, ndërkaq Pejgamberi ﷺ ua përcaktoi vendet një grupi shigjetarësh, ndërsa Abdullahun e bëri komandant të tyre, pastaj u tha: “Mos lëvizni nga vendet tuaja! Nëse na shihni të triumfojmë, asnjë të mos lëvizë nga ky vend. E, nëse i shihni se po triumfojnë ndaj nesh, mos na ndihmoni.”
Kur u ndeshëm, armiqtë ikën, saqë edhe gratë i pashë të ngjiteshin në kodër, të cilave u dukeshin edhe hallkat e këmbëve nga përvjelja e rrobave. Ata (që ishin nën komandën e Abdullah ibn Xhubejrit) thirrën: “Plaçka e luftës! Plaçka e luftës!” Abdullahu u tha: “Pejgamberi ﷺ më mori besën që unë të mos lëviz! Por, ata e shpërfillën fjalën e tij. Rrjedhimisht, u hutuan e më pas u vranë shtatëdhjetë burra.
Atëherë, Ebu Sufjani u ngrit dhe tha:
"A është Muhamedi në mesin tuaj?”
Por, Pejgamberi ﷺ u tha: “Mos iu përgjigjni!”
Sërish thirri: “A është Ibn Ebu Kuhafe në mesin tuaj?”
Por, Pejgamberi ﷺ u tha: “Mos iu përgjigjni!”
"A është Ibn Hatabi në mesin tuaj?” Dhe vazhdoi: “Ata qenkan vrarë, sepse, sikur të ishin gjallë, do të përgjigjeshin.”
Por, Omeri nuk mundi ta mbajë veten, andaj tha: “Për Allahun, po gënjen, o armik i Allahut! Allahu i ka lënë në jetë ata që të të nënçmojnë.” Ebu Sufjani tha:
- I lartë qoftë Hubeli (idhulli)!
- “Përgjigjjuni atij!” - tha Pejgamberi ﷺ.
- Çfarë të themi? - pyetën muslimanët.
- “Thoni: “Allahu është më i Larti dhe më Hyjnori!” - tha Pejgamberi ﷺ.
Ebu Sufjani tha: “Ne e kemi Uzanë, kurse ju nuk keni Uza.”
- “Përgjigjjuni atij?”
- Çfarë të themi? - pyetën muslimanët.
- “Thoni: “Allahu është Mbrojtësi ynë, kurse ju nuk keni Mbrojtës!”
Ebu Sufjani ia ktheu: “Kjo ditë është në këmbim të ditës së Bedrit, ndërsa lufta është e ndërsjellë. Në mesin e të vrarëve do të gjeni të masakruar, për të cilët unë nuk kam urdhëruar të masakrohen, por, njëherazi, nuk ndihem keq për këtë.”