Sahihu i Buhariut — Hadithi 4047
17. Nënkapitulli: Beteja e Uhudit
Ajetet: “Atë mëngjes, kur ti (o Muhamed) dole nga shtëpia jote për t’u caktuar besimtarëve vendet e luftës, e Allahu dëgjon dhe di çdo gjë.” (Ali Imran, 121) “Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Nëse ju ka goditur ndonjë plagë, edhe popullin (armik) e kanë goditur të tilla plagë. Ato ditë (fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve, që Allahu t’i dallojë besimtarët dhe për t’i bërë disa nga ju dëshmorë. Allahu nuk i do keqbërësit. E kështu, Allahu i dëlir besimtarët e i shuan jobesimtarët. A mendoni se do të hyni në Xhenet, pa i provuar Allahu ata që kanë luftuar prej jush dhe pa i provuar ata që kanë duruar? Ju e dëshironit vdekjen para se të ballafaqoheshit me të dhe ja pra, ju e patë atë me sytë tuaj.” (Ali Imran, 139-143) “Vërtet Allahu e plotësoi premtimin e Vet, kur ju me vullnetin e Tij e thyet armikun. Por, kur ju u frikësuat, u grindët midis jush dhe kundërshtuat (Pejgamberin ﷺ), pasi Ai ju tregoi atë që pëlqenit, (Allahu e tërhoqi ndihmën e Vet). Disa nga ju dëshirojnë këtë botë, ndërsa të tjerë nga ju dëshirojnë botën tjetër. Pastaj Ai, për t’ju provuar, bëri që të zmbrapseni para armikut dhe pastaj, sigurisht që jua fali atë gabim. Allahu ka mirësi të madhe për besimtarët.” (Ali Imran, 152) “Kurrsesi mos i quani të vdekur ata që janë vrarë në rrugën e Allahut. Jo, janë të gjallë, duke u ushqyer te Zoti i tyre.” (Ali Imran, 169)
4047. Nga: Habab ibn Ereti
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky nga Shekiku se Hababi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ kemi bërë hixhret duke synuar Fytyrën e Allahut dhe shpërblimi ynë ka mbetur tek Allahu. Dikush prej nesh tashmë ka vdekur, ose ka shkuar pa e gëzuar aspak shpërblimin e tij (në këtë botë). Bie fjala, Musab ibn Umejri, i cili është vrarë ditën e Uhudit dhe nuk la asgjë, përveç një rrobe me të cilën, kur ia mbulonim kokën, i zbuloheshin këmbët, e, kur ia mbulonim këmbët, i zbulohej koka. Pejgamberi ﷺ na tha: “Mbulojani kokën me të, ndërsa këmbët mbulojani me idhhir, - ose ka thënë: “Hidhuni idhhir këmbëve.” - Ndërkaq, disave prej nesh u janë pjekur frutat dhe po i vjelin.”