Sahihu i Buhariut — Hadithi 4049

17. Nënkapitulli: Beteja e Uhudit

Ajetet: “Atë mëngjes, kur ti (o Muhamed) dole nga shtëpia jote për t’u caktuar besimtarëve vendet e luftës, e Allahu dëgjon dhe di çdo gjë.” (Ali Imran, 121) “Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Nëse ju ka goditur ndonjë plagë, edhe popullin (armik) e kanë goditur të tilla plagë. Ato ditë (fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve, që Allahu t’i dallojë besimtarët dhe për t’i bërë disa nga ju dëshmorë. Allahu nuk i do keqbërësit. E kështu, Allahu i dëlir besimtarët e i shuan jobesimtarët. A mendoni se do të hyni në Xhenet, pa i provuar Allahu ata që kanë luftuar prej jush dhe pa i provuar ata që kanë duruar? Ju e dëshironit vdekjen para se të ballafaqoheshit me të dhe ja pra, ju e patë atë me sytë tuaj.” (Ali Imran, 139-143) “Vërtet Allahu e plotësoi premtimin e Vet, kur ju me vullnetin e Tij e thyet armikun. Por, kur ju u frikësuat, u grindët midis jush dhe kundërshtuat (Pejgamberin ﷺ), pasi Ai ju tregoi atë që pëlqenit, (Allahu e tërhoqi ndihmën e Vet). Disa nga ju dëshirojnë këtë botë, ndërsa të tjerë nga ju dëshirojnë botën tjetër. Pastaj Ai, për t’ju provuar, bëri që të zmbrapseni para armikut dhe pastaj, sigurisht që jua fali atë gabim. Allahu ka mirësi të madhe për besimtarët.” (Ali Imran, 152) “Kurrsesi mos i quani të vdekur ata që janë vrarë në rrugën e Allahut. Jo, janë të gjallë, duke u ushqyer te Zoti i tyre.” (Ali Imran, 169)

4049. Nga: Zejd ibn Thabiti

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Harixheu, i biri i Zejd ibn Thabitit, se babai i tij Zejd ibn Thabiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Teksa i shkruaja fletushkat kuranore në mus'hafe, më mungonte një ajet i sures Ahzab, të cilin e kisha dëgjuar teksa e lexonte i Dërguari i Allahut ﷺ. E kërkuam atë (të shkruar) dhe e gjetëm te Huzejme ibn Thabit Ensariu, ku thuhej: “Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët presin pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre...” (Ahzab, 23) Atëherë, ia bashkëngjitëm sures në mus'haf.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 4049

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?