Sahihu i Buhariut — Hadithi 4050
17. Nënkapitulli: Beteja e Uhudit
Ajetet: “Atë mëngjes, kur ti (o Muhamed) dole nga shtëpia jote për t’u caktuar besimtarëve vendet e luftës, e Allahu dëgjon dhe di çdo gjë.” (Ali Imran, 121) “Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Nëse ju ka goditur ndonjë plagë, edhe popullin (armik) e kanë goditur të tilla plagë. Ato ditë (fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve, që Allahu t’i dallojë besimtarët dhe për t’i bërë disa nga ju dëshmorë. Allahu nuk i do keqbërësit. E kështu, Allahu i dëlir besimtarët e i shuan jobesimtarët. A mendoni se do të hyni në Xhenet, pa i provuar Allahu ata që kanë luftuar prej jush dhe pa i provuar ata që kanë duruar? Ju e dëshironit vdekjen para se të ballafaqoheshit me të dhe ja pra, ju e patë atë me sytë tuaj.” (Ali Imran, 139-143) “Vërtet Allahu e plotësoi premtimin e Vet, kur ju me vullnetin e Tij e thyet armikun. Por, kur ju u frikësuat, u grindët midis jush dhe kundërshtuat (Pejgamberin ﷺ), pasi Ai ju tregoi atë që pëlqenit, (Allahu e tërhoqi ndihmën e Vet). Disa nga ju dëshirojnë këtë botë, ndërsa të tjerë nga ju dëshirojnë botën tjetër. Pastaj Ai, për t’ju provuar, bëri që të zmbrapseni para armikut dhe pastaj, sigurisht që jua fali atë gabim. Allahu ka mirësi të madhe për besimtarët.” (Ali Imran, 152) “Kurrsesi mos i quani të vdekur ata që janë vrarë në rrugën e Allahut. Jo, janë të gjallë, duke u ushqyer te Zoti i tyre.” (Ali Imran, 169)
4050. Nga: Zejd ibn Thabiti
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Adij ibn Thabiti, e ky e ka dëgjuar Abdullah ibn Zejdin se Zejd ibn Thabiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Pejgamberi ﷺ u nis për në Luftën e Uhudit, një pjesë e njerëzve, që kishin dalë me të, u kthyen. Shokët e Pejgamberit ﷺ ishin dy grupe (dy mendime): njëri grup thoshte: “T'i luftojmë ata, kurse grupi tjetër thoshte: “Nuk duhet t'i luftojmë.” Sakaq, zbriti ajeti: “Përse jeni ndarë në dy grupe për çështjen e hipokritëve, kur Allahu i ka flakur ata në mosbesim...” (Nisa, 88) Pastaj Pejgamberi ﷺ tha: “Ajo (Medina) është e mirë, i pastron mëkatet sikurse zjarri që e pastron të keqen nga argjendi.”