Sahihu i Buhariut — Hadithi 4095
29. Nënkapitulli: Beteja Raxhië, Ril, Dhekvan dhe ajo e Pusit Meune. Tregimi i fisit adal e karrat, si dhe tregimi i Asim ibn Thabitit, Hubejbit dhe shokëve të tij
Ibn Is'haku ka thënë: "Asim ibn Omeri ka thënë: "Ajo (Beteja Raxhië) ka qenë pas Uhudit."
4095. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ është lutur në tridhjetë namaze të sabahut kundër vrasësve të shokëve të tij te Pusi Meune. Pra, kundër fiseve riël, dhekvan dhe usaje, të cilët e kishin kundërshtuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ.”
Enesi ka thënë: “Allahu i Madhëruar i zbriti të Dërguarit të Tij ﷺ, për ata që janë vrarë te Pusi Meune, ajet kuranor, të cilin e lexonim, por që më pas u anulua: “Lajmëroni popullin tonë se ne jemi takuar me Zotin tonë, i Cili është i kënaqur me ne dhe ne me Të.”