Sahihu i Buhariut — Hadithi 4136
32. Nënkapitulli: Beteja Dhatu Rikaë
Beteja e familjes muharib hasfe e fisit benu thalebe të gatafanit. Pejgamberi ﷺ u ndal në Nahle (vend në Siujdhesën Arabe). Kjo betejë ka qenë pas Hajberit, se Ebu Musai ka ardhur pas Hajberit.
4136. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ebani na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Ebu Seleme se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Ishim me Pejgamberin ﷺ në betejën Dhatu Rikaë dhe, gjatë rrugës, arritëm te një pemë hijemadhe, të cilën ia lamë Pejgamberit ﷺ. Aty vajti një idhujtar dhe, pasi Pejgamberi ﷺ e kishte varur shpatën në pemë, ai e mori dhe iu drejtua Pejgamberit ﷺ: “Më frikësohesh tani?”
- “Jo”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.
- Kush do të të shpëtojë prej meje? - tha ai.
- “Allahu”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Pastaj, shokët e Pejgamberit ﷺ e kërcënuan personin në fjalë. Më vonë, thirri ikameti për namaz dhe, njërit grup Pejgamberi ﷺ ua fali dy rekate dhe ata u larguan mbrapa, pastaj edhe grupit tjetër ua fali dy rekate. Kështu, Pejgamberit ﷺ iu bënë katër rekate, ndërsa të dy grupeve nga dy rekate.
Musededi transmeton nga Ebu Avane se Ebu Bishri ka thënë: “Emri i atij personi ishte Gaurath ibn Harithi. Në këtë betejë Pejgamberi ﷺ luftoi kundër familjes muharib hasafe.”