Sahihu i Buhariut — Hadithi 4147
36. Nënkapitulli: Beteja e Hudejbijes
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Allahu është i kënaqur me ata besimtarë, kur t’u betuan për besnikëri nën hijen e pemës. Ai e dinte se ç’kishte në zemrat e tyre, prandaj u dha atyre qetësi dhe i shpërbleu me një fitore të afërt.” (Fet’h, 18)
4147. Nga: Zejd ibn Halid Xhuheniu
Halid ibn Mahledi na ka thënë: Na ka treguar Sulejman ibn Bilali, e këtij i ka treguar Salih ibn Kejsani, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu se Zejd ibn Halidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Vitin e Hudejbijes, përgjatë rrugës me të Dërguarin e Allahut ﷺ, një natë na zuri shiu dhe, pasi na e fali sabahun, Pejgamberi ﷺ u kthye me fytyrë nga ne dhe tha:
- “A e dini ç'tha Zoti juaj?”
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - thamë ne.
- “Allahu tha: “Disa robër të Mi gdhinë duke më besuar, e të tjerë duke më mohuar. Ai që tha: “Ra shi nga mëshira, furnizimi dhe mirësia e Allahut”, më ka besuar Mua dhe e ka mohuar besimin në yje. Ndërkaq, ai që tha: “Ra shi për shkak (të pozitës së) filan yllit”, i ka besuar yllit, e më ka mohuar Mua”, - tha Pejgamberi ﷺ.”