Sahihu i Buhariut — Hadithi 4163
36. Nënkapitulli: Beteja e Hudejbijes
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Allahu është i kënaqur me ata besimtarë, kur t’u betuan për besnikëri nën hijen e pemës. Ai e dinte se ç’kishte në zemrat e tyre, prandaj u dha atyre qetësi dhe i shpërbleu me një fitore të afërt.” (Fet’h, 18)
4163. Nga: Seid ibn Musejibi
Mahmudi na ka thënë: Na ka treguar Ubejdullahu, e ky nga Israili se Tarik ibn Abdurrahmani tregon: “U nisa për në haxh dhe, gjatë rrugës, kalova pranë disa njerëzve që faleshin, andaj i pyeta: “Cila xhami është kjo?”
- Kjo është pema, pranë së cilës i Dërguari i Allahut ﷺ ka dhënë besën e Ridvanit, - thanë ata.
Kështu, shkova te Seid ibn Musejebi dhe i tregova për këtë. Ai më tha: “Babai më ka treguar se ka qenë në mesin e atyre që ia kanë dhënë besën të Dërguarit të Allahut ﷺ nën pemë, mirëpo, kur shkuan pas një viti, kishin harruar cila ka qenë dhe nuk kishin mundur ta gjenin. Pastaj tha: “Shokët e Muhamedit ﷺ nuk e dinin, e po e dini ju? Ju jeni më të dijshëm!”