Sahihu i Buhariut — Hadithi 4178
36. Nënkapitulli: Beteja e Hudejbijes
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Allahu është i kënaqur me ata besimtarë, kur t’u betuan për besnikëri nën hijen e pemës. Ai e dinte se ç’kishte në zemrat e tyre, prandaj u dha atyre qetësi dhe i shpërbleu me një fitore të afërt.” (Fet’h, 18)
4178. Nga: Misver ibn Mahremi - Mervan ibn Hakemi
4178, 4179 - Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky e ka dëgjuar Zuhriun se gjatë transmetimit të hadithit ka thënë: E kam mbajtur në mend një pjesë të hadithit, ndërsa më pas ma ka përforcuar këtë Mameri, e ky nga Urve ibn Zubejri se Misver ibn Mahremi dhe Mervan ibn Hakemi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), - duke e plotësuar njëri-tjetrin, - tregojnë: “Vitin e Hudejbijes, Pejgamberi ﷺ u nis me një mijë e ca qindra shokë të tij. Kur arritën në Dhul Hulejfe, Pejgamberi ﷺ ia vendosi qaforen kurbanit dhe e damkosi, pastaj hyri në ihram për umre. Më pas dërgoi një vrojtues prej fisit huzaë. Pejgamberi ﷺ eci derisa arriti te vendi Gadir Eshtat, ku i vajti vrojtuesi dhe i tha: “Kurejshët janë mbledhur kundër teje, kanë mbledhur edhe fise të ndryshme, të cilat do të të luftojnë, do të të pengojnë nga vizita e Qabesë dhe do të të ndalojnë.” Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “O ju njerëz, më jepni mendimin tuaj. A mendoni të nisem drejt familjeve dhe fëmijëve të këtyre që duan të na pengojnë nga Qabeja (aleatëve mekas)? Ashtu që, nëse ata u venë në mbrojtje (familjeve), i bie që Allahu na ka hequr qafe një pjesë idhujtarësh. Përndryshe, do t'i lëmë pa asgjë.” Ebu Bekri tha: “O i Dërguari i Allahut, ia ke mësyrë Qabesë pa pasur qëllim të vrasësh e të luftosh ndokënd, andaj vazhdo drejt saj! Atë që na pengon, do ta luftojmë.” Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Vazhdoni, me emrin e Allahut!”